Aktualitet

S’ka rihetim pasuror për gjyqtaren Elona Toro, KPA e rikonfirmon në detyrë

S’ka rihetim pasuror për gjyqtaren Elona Toro, KPA e rikonfirmon

Komisioneri Publik kishte kërkuar shkarkimin e gjyqtares Elona Toro për shkak të një sërë pikëpyetjesh mbi pasurinë e saj, por ajo është rikonfirmuar në detyrë sot nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Toro u konfirmua me shumicë votash në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 17 qershor 2020.

Por Komisioneri Publik kreu ankim pasi e ka konsideruar të paplotë hetimin e KPK-së, duke vlerësuar se Toro kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të pasurisë.

Komisioneri Publik Florian Ballhysa kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të rihapte hetimin gjyqësor ndaj gjyqtares lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Por kjo nuk është marrë parasysh në mbledhjen e sotme nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit Tiranë, Elona Toro.

Elona Toro e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar për 16 vjet pranë Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2016, Toro u emërua gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Toro kandidoi gjatë kohës kur po i nënshtrohej vetting-ut edhe për postin e anëtares së Gjykatës së Lartë, kandidaturë që do të vlerësohej nga bashkëshorti i saj Alban Toro, i cili është anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.